The words you are searching are inside this book. To get more targeted content, please make full-text search by clicking here.
Discover the best professional documents and content resources in AnyFlip Document Base.
Search
Published by s.sejdiu, 2016-07-26 03:40:58

JETA_E_RE 2013-3

JETA_E_RE 2013-3

E T N O S Angjelina HAMZA

401

402

etnos

Angjelina Hamza (1982, Klinë) ka diplomuar në
Degën e Etnologjisë, Fakulteti  Filozofik-UP. Prej
vitit 2009 punon në Institutin Albanologjik të
Prishtinës, në Degën e Etnologjisë. Ka botuar një
numër artikujsh dhe recensionesh në revista të
ndryshme shkencore. Përveç punimeve shkencore,
ajo ka të botuar një roman për të rinj “Çelin lulet e
ëndërrimeve”, Klinë, 2001. Aktualisht është duke
punuar në projektin individual “Roli i nënës në
familjen tradicionale dhe bashkëkohore”.

Angjelina HAMZA

MARTESA NË MES TRADICIONALES DHE MODERNES

Në këtë punim do ta trajtojmë martesën nga disa këndvështrime,
ku do të flasim për martesën tradicionale dhe atë bashkëkohore, duke u
ndalur sidomos në disa segmente apo pika që janë më aktuale në ditët e
sotme, si p.sh. fenomeni i bashkëjetesës.

Gjithashtu, do të përpiqemi të ofrojmë sa më shumë të dhëna për
ritin e martesës, për zhvillimin e këtij riti në kohë, për ndryshimet dhe
ngjasimet që ndikuan në ritin e martesës, analogjitë apo dallimet ndërmjet
martesave tradicionale, sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit dhe martesave
në ditët e sotme.

Rregullat e martesës sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit

Martesa është një nga ngjarjet më të rëndësishme të jetës së njeriut.
“Kur dy njerëz martohen, ata bëhen të afërtë me njëri-tjetrin. Martesa

403

gjithashtu lidh së bashku një grup të madh njerëzish”.1 Ajo është baza e
krijimit të familjes.

Martesa dhe familja, si dukuri shoqërore, kanë karakter historik.
Në procesin e zhvillimit të shoqërisë ato pësojnë ndryshime. Ndryshimet

e bazës ekonomike, të strukturës social-klasore, të rendit politik, të jetës
shpirtërore etj, kanë sjellë ndryshime në martesë e në familje, në format e
tyre, në përmbajtjen dhe funksionet e tyre shoqërore.

Por, siç dihet, ndryshimet e jetës shoqërore nuk pasqyrohen
menjëherë në familje dhe në martesë, prandaj, shpeshherë, në zakonet
e jetës familjare e të martesës, ndeshen mbeturina, që u takojnë
formacioneve ekonomiko-shoqërore të kaluara, madje edhe shoqërisë
së lashtë. “Në kultura të ndryshme, ashtu si për elementë tjerë të jetës
sociale, edhe për martesën e familjen ka një shumëllojshmëri modelesh.”2

Në traditën familjare në Kosovë riti i martesës ka zënë gjithmonë
një vend të veçantë. Rituali i martesës ishte ngjarja më e rëndësishme për
familjen tradicionale kosovare. Ajo shënonte një hap të madh përpara në
rritjen dhe zgjerimin e asaj familje. Duke pasur parasysh se për familjet
tradicionale kosovare djemtë ishin shtylla kryesore e shtëpisë, shtylla që
mundësonte funksionimin e familjes, martesa e tyre dhe marrja e nuses
sillte një gëzim të jashtëzakonshëm për anëtarët e familjes.

Pra, duke marrë parasysh traditën e martesës te populli shqiptar
në përgjithësi, duhet të kemi parasysh disa rrethana specifike se si është
manifestuar rregulli i fejesës, martesës dhe shkurorëzimit, dhe sa është
duke u ruajtur kjo traditë në mesin e shqiptarëve, a është një thesar i

ruajtur si në atë kohë apo ka ndryshuar krejtësisht, dhe a ka ndodhë që

t’i shtrojmë pyetje vetvetes se a ishte plotësisht e drejtë kjo mënyrë apo e

tëra ishte një anomali?

Pasi kanë ndryshuar shumë ceremoni përgjatë periudhave të

ndryshme në Kosovë si edhe në vendet e tjera të Ballkanit, është me

rëndësi të paraqiten disa të dhëna nga Kanuni i Lekë Dukagjinit në lidhje
me këto ceremoni dhe si janë manifestuar ato gjatë gjithë historisë deri
më sot. Ndërkohë kujtojmë se kjo ka ndryshuar në vende dhe rajone të
ndryshme, duke u munduar që sa më shumë t’i afrohen vendeve evropiane
dhe të pasurojnë traditën shqiptare me elemente te huaja. Ekzistojnë

1 Anthony Giddens, Sociologjia, Çabej, Prishtinë, 2007, fq 371.

2 Anthony Giddens, Sociologjia, Çabej, Prishtinë, 2007, fq 371.
404

etnos

shumë rregulla zakonore lidhur më këto çështje, nga kjo degë e së drejtës,
të cilat i përkasin në fillim fejesës.

Fejesa sipas Kanunit Lekë Dukagjinit është parakontrata e martesës.
Në të vërtetë ajo është një marrëveshje midis baballarëve apo kushërinjve
të afërm të vajzës dhe të djalit për lidhjen e martesës së ardhshme në mes
të këtyre të rinjve. Fejesa nuk lidhej me pëlqimin e të fejuarve, por, në
esencë, me pëlqimin e kujdestarëve të tyre, si dhe me ndërmjetësimin e
shkuesit. Kur arrihej pëlqimi i fejesës, atëherë shkuesi ia jepte babait ose
të afërmit të vajzës shenjën dhe të hollat sipas zakonit.

Vajza e fejuar nuk mund ta prishte fejesën. Këtë të drejtë nuk e
kishin as prindërit dhe të afërmit e saj. Kësisoj, nëse vajza refuzonte të
martohet me të fejuarin e saj dhe “ po e muer tjetër grue dhandri, vajza e
zanun prej tij jet e lidhun se e lidhun”3

Përkundër ndalimeve që i bëheshin vajzës dhe familjes së saj, djali
kishte të drejtën e prishjes së fejesës. “Njat’ herë kur t’i teket djalit, ashtë i
lirë me e lëshue vajzën e zanun, porse sheji e gjithsa pare të ketë lënë për
vajzën i hupin”4

Këtu shohim qartë një sanksionim të së drejtave të femrës dhe një
mosbarazim gjinore, gjithashtu edhe nëpërkëmbjen e dinjitetit të saj gjë
që bie ndeshë me logjikën e barazisë gjinore për të cilën po përpiqemi
shumë që ta arrijmë. Por ja që zakone të tilla kemi edhe sot, por paksa
të modifikuara dhe që përsëri sado që të jenë ato janë në kundërshtim
të plotë me të drejtat elementare të gruas. Ndërsa kur jemi tek martesa,
atëherë ajo nuk mundej të realizohej pa këto ndalesa( gjithnjë duke
aluduar në Kanun),

“të mos të jetë gjak e gjini;
të mos të jetë të një fisi;
të mos të jetë mesë fisit të djalit që do me nxënë;
të mos të jetë gruaja e lëshum”5
këto ishin disa nga rregullat kanunore të cilat ishin të parapara nga
Kanuni i Lekë Dukagjinit, por që janë edhe sot dhe respektohen si të tilla
në disa rajone dhe vende të Ballkanit. Por edhe pse janë edhe sot e kësaj

3 Shtjefën Gjeqovi, Kanuni I Lekë Dukagjinit, Rilindja Prishtinë, fq-14.
4 Po aty, fq 13.
5 Kanuni i Lekë Dukagjinit, cit. Kreu i tretë, Shkuesija – Fejesa, Kodi: 39

405

dite janë të modifikuara shumë, dhe rrallë mund të thuhet se është ruajtur
si një thesar i çmueshëm. Pikërisht nisur nga ky kodifikim i traditës sonë,
mund të themi se familja shqiptare e ka konsideruar martesën si ngjarje
progresive në funksion të zhvillimit dhe zgjerimit të saj dhe krijimin e
miqësive të reja. Duke na bërë të kuptueshme dhe mjaft të qartë pozitën e
pjesëtarëve të familjes, më konkretisht djalit dhe vajzës, kur të drejtat e tyre
për lidhje martesore vendoseshin nga kryefamiljari, në kundërshtim me
vullnetin dhe dëshirën e tyre. “Për më tepër, çifti bashkëshortor paraqet –
jo gjithherë dhe jo dypalshëm-vetëm pjesën (kryesore) të miqësisë tanimë
të lidhur në mes dy familjeve, por, sipas organizimit shoqëror dokesor,
edhe ndërlidhjet e vëllazërive, barqeve dhe fisit, në lidhje gjaku, të lozës
atërore, si për nga ana e djalit ashtu dhe për nga ana e vajzës. Kjo strukturë
kompozicionale e miqësisë është shprehje e funksionimit hierarkal të
shoqërisë shqiptare për një kohë të gjatë të historisë.”6

Edhe martesa njihet nëpërmjet shkuesisë si normë zakonore
tradicionale te shqiptarët. Martesa sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit
përshkruhet kështu: “ Mu martua me kanun, - thuhet në përmbledhjen
e Gjeçovit, do’me thanë m’u ba shpi, me ia shtua shpis nji rob ma tepër,
sa për krah të punëve, sa për të shtuem të fmive”7. Gjeçovi jep nocionin e
martesës patriarkale, duke parashtruar në mënyrë të thuktë përmbajtjen
ekonomike, shoqërore dhe natyrore të saj në këtë shoqëri. Në të vërtetë,
burri duke u martuar, “ ia shton shtëpisë një rob ma tepër”. Nga tërë kjo
del sheshazi pozita e nënshtruar e gruas së kanunit.8

Martesa në ditët e sotme - fenomeni i “bashkëjetesës”

Martesat ndërshqiptare, llojet e tyre, dhe në përgjithësi ritualet rreth
martesave, kanë qenë pak a shumë të ngjashme. Mirëpo sot kemi mjaft
ndryshime në aspektin kulturor ndër shqiptarë. “Sikurse që pësoi ndryshime
familja shqiptare me veçoritë e saj unike kulturore, po ashtu edhe martesa si
pjesë përbërëse e familjes, evoluoi dhe dita -ditës po sjell risi në vete. Pra, sot
martesa gjithnjë e më tepër, po merr tipare të reja bashkëkohore.”9

6 Ukë Xhemaj, “Shtresime Kulturore”,IAP, prishtinë, 2005, fq-165.

7 Kanuni i Lekë Dukagjinit, cit. Kodi: 28

8 Kanuni i Lekë Dukagjinit, cit. Fq. CII.

9 Bashkim Lajçi, Gjurmime Etnologjike, Pejë,2007, fq- 192.
406

etnos

Dallimet më të dukshme që u shfaqen në ndryshimin e martesave
dhe sjelljen e formave dhe modeleve të ndryshme kulturore, është
pikërisht periudha e pas luftës së fundit në Kosovë. Me ardhjen e shumë
ndërkombëtarëve, me lëvizjen e lirë të njerëzve drejt vendeve të ndryshme
perëndimore, prurjet e reja kulturore u pranuan dhe u praktikuan
menjëherë.

Një gjë e tillë u vërejt tek forma më e re e martesës, e ashtuquajtura
“bashkëjetesë”, ku njerëzit duke u bazuar ne jetën e perëndimorëve që
parapëlqejnë të bashkëjetojnë e jo të martohen, filluan ta provojnë një
mënyrë të tillë të re jetese.

Konsiderohet që Prishtina është nismëtare e një fenomeni të tillë,
ku bashkëjetesa ka filluar menjëherë pas lufte, çka për qytezat tjera është
një ngjarje e cila akoma nuk ndodh, (por) dhe mund të ketë pengesa të
natyrave të ndryshme.

Ky fenomen dhe qasja ndaj tij, në ditët e sotme pothuajse është e
kuptueshme, ku martesa shihet si zgjedhje e lirë dhe e planifikuar nga të
dy partnerët për çdo aspekt të sajin. Në një farë mënyre asaj i paraprin
vetë njohja, pëlqimi, mirëkuptimi dhe marrëveshja paraprake e dy të
rinjve, të cilët kanë shfaqur dëshirën që të ndërtojnë një relacion më të
thellë në mes tyre. Kjo, në mënyrën më të qartë, shfaq një largësi shumë
të madhe në krahasim me llojet e martesave tradicionale, e veçmas bie
ndesh me martesën sipas Kanunit. Një mënyrë e tillë e të qasurit dhe
akceptimi i këtij relacioni vlen për çiftet e reja që sot i bëjnë zgjedhjet e
tyre sipas vullnetit të lirë të tyre e jo duke u bazuar në ato ligje kanunore
të dikurshme, apo implikime të familjes së gjerë, dhe marrje vendimesh
nga të tjerët. Por është më shumë vullnet dhe vendosje nga dy individë
vajza dhe djali.

Megjithatë, nëse na rastisë të bisedojmë më të moshuarit dhe t’u
parashtrojmë pyetjen rreth asaj se a janë të pajtimit që fëmijët e tyre
te bashkëjetojnë: disa nga ata janë kundër për arsye të ndryshme e më
shumë e cekin aspektin moral, të tjerë janë në mes, duke ua lënë fëmijëve
vendimin, por ka edhe nga ata që e pëlqejnë shumë këtë lloj lidhjeje. Ndërsa
në bashkëbisedim me disa të rijnë të cilët kanë filluar bashkëjetesën me
miratim të prindërve, tregojnë për një lidhje stabile, me marrëveshje, dhe
e konsiderojnë si një gjë shumë normale dhe të efektshme për të ardhmen
e tyre.

407

Duke mos i përgjithësuar rastet dhe gjërat, mund të themi që të rinjtë
e sotëm, e veçmas të zonave urbane, në masë të madhe, nuk varen më nga
mendimet e familjes së tyre të gjerë për ndërtimin e këtij relacioni më të
thellë dhe rëndësishëm jetësor, por nga vet personaliteti dhe karakteret
e tyre të cilët testohen paraprakisht dhe përgatiten drejtë rrugëtimit në
ndërtimin e këtij institucioni që bart rëndësinë e vet jetësore.

Kjo dukuri nga fakti që vet vendi në të cilin jetohet, më konkretisht
Prishtinasikryeqendërebanimit,nganjerëztësecilitfshatapoqytettëKosovës,
të imponon shumë shpesh të marrësh vendime vetanake e njëkohësisht
vendime shumë të rëndësishme për jetën, siç është edhe bashkëjetesa.

Pra, ky stil i ri i martesës në kulturën shqiptare, nuk ka qenë i njo­
hur apo nuk ka ekzistuar, përveç llojeve të martesave që nga Kanuni i Lekë
Dukagjinit e këtej.

Mirëpo, moderniteti solli në kulturën tonë ndryshime të shumta dhe
të shpejta. Ndryshimet e tilla, në shoqërinë tonë, janë ato të cilat çdo ditë e
më shumë do jenë të pranishme, dhe do sjellin risi të natyrave të ndryshme
si brenda familjes, jo vetëm në martesë, por në përgjithësi në çdo sferë
jetësore e kulturore.

Prandaj, duhet theksuar që, në kuadrin e vlerave tradicionale të një
populli, s’do mend se martesa është njëra nga veprimet më të rëndësishme
në jetën e njeriut. Për këtë veprim, rit apo dukuri, kanë ekzistuar doke e
zakone, rregulla e veprime të ndryshme. Në këtë drejtim, jo rrallëherë,
për dallim nga martesat e sodit, nga sa u pa më lartë, me disa krahasime
të vogla, martesat janë bërë sipas Kanunit. Pra, siç dihet, “Kanuni i Lekë
Dukagjinit” është një përmbledhje globale e tërë traditës shqiptare. Mbi
origjinën e kodeksit ekzistojnë shumë hipotza dhe zgjidhje. Një gjë është e
sigurtë: është mjaft i lashtë dhe i trashëguar prej gjenerate në gjeneratë.”10

10 Lush Gjergji, Roli i femrës shqiptare në familje dhe në shoqëri, Sarajevë, 1977, fq.13.
408

Nr. 3, viti XLIV
Prishtinë
2013

Botimin e këtij numri e financoi

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit
Republika e Kosovës

409


Click to View FlipBook Version